Ministri Salla: IPARD III hapet brenda 6 muajve, 5.2 mld lekë për Skemën Kombëtare
Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, njoftoi masa të reja mbështetëse për fermerët dhe blegtorët, ndërsa programi IPARD III me 112 milionë euro pritet të hapet brenda 6 muajve.

5.2 miliardë lekë për Skemën Kombëtare
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, gjatë një konference për mediat bëri të ditur se Skema Kombëtare për Bujqësinë do të financohet me 5.2 miliardë lekë dhe do të përfshijë masa të reja mbështetëse, veçanërisht për blegtorët e rinj.
“Ne kemi diskutuar të gjitha masat e reja që do të vendosim për aplikim në skemën e re kombëtare. Jemi duke rishikuar masat e zbatuara në vitin 2025, për të gjetur metodologjinë më të përshtatshme. Brenda pak ditësh do të dalim me skemën e re, ku do të përfshihet edhe skema për naftën”, deklaroi Salla.
Sipas tij, një nga risitë kryesore do të jetë mbështetja për të rinjtë nga 18 deri në 35 vjeç, të cilët synojnë të hapin një biznes në blegtori. Diskutohet që grantet të variojnë nga 7 mijë deri në 10 mijë euro për përfituesit.
“Synojmë që çdo i ri apo e re që hap një biznes në këtë sektor të jetë pjesë e mbështetjes sonë financiare. Duam të rrisim rolin e të rinjve në këtë sistem të rëndësishëm dhe kjo mbështetje do të jepet në formë granti”, tha ai.
IPARD III me 112 milionë euro
I pyetur mbi hapjen e programit IPARD III, ministri u shpreh se Shqipëria ka përmbushur detyrimet e kërkuara nga Bashkimi Europian dhe se brenda 6 muajve pritet të hapet programi i ri.
“Më 9 mars do të jemi në Bruksel me synimin që brenda 6 muajve të hapet programi IPARD III. Fondi me vlerë 112 milionë euro pritet të jetë në dispozicion brenda këtij viti në bashkëpunim me Bashkimin Europian”, deklaroi Salla.
Sipas tij, fondet e IPARD III do të ndërthuren me masat e Skemës Kombëtare, duke krijuar një paketë të plotë mbështetjeje për sektorin bujqësor.
Garancia Sovrane dhe kompensimi 10%
Ministri u ndal edhe te Garancia Sovrane, e cila synon të lehtësojë aksesin në financim për fermerët dhe të orientojë ata drejt paketave mbështetëse përmes AZHBR-së, duke përfshirë për herë të parë edhe bashkitë.
Ai theksoi rëndësinë e skemës së kompensimit 10%, duke u bërë thirrje fermerëve të marrin autofaturë për të përfituar 10% të vlerës së faturave.
“Të gjithë ata që nuk janë formalizuar duhet të hapin një NIPT, në mënyrë që të bëhen pjesë e kësaj nisme. Nuk ka barrë financiare për biznesin që lëshon autofaturë për fermerin dhe procedura është e njëjtë, pa krijuar shqetësime për grumbulluesit apo agroturizmin”, sqaroi ai.
Salla njoftoi gjithashtu vendosjen e një numri kontakti për fermerët për çdo problematikë lidhur me Garancinë Sovrane dhe kompensimin e TVSH-së 10%.
Mbështetje pas përmbytjeve
Ministri u ndal edhe te situata pas përmbytjeve, duke theksuar se është ngritur një grup pune për verifikimin e dëmeve dhe për ofrimin e mbështetjes sipas procedurave të përcaktuara.
“Po punojmë gjithashtu me Ministrinë e Financave për sigurimin e fermave, me qëllim që të shmangim problematika të ngjashme në të ardhmen. Paralelisht, po shqyrtojmë edhe çështjen e eksportit drejt tregut turk dhe mënyrën e adresimit të saj në bashkëpunim me Ministrinë e Financave”, u shpreh Salla.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






